Qëllimi kryesor i arsimit profesional në profilin “Elektromekanik”, niveli II, tё drejtimit
“Elektroteknik”, është “zhvillimi i personalitetit të nxënësve për të jetuar në përshtatje me
botën që i rrethon dhe përgatitja e punonjësve të kualifikuar për instalimin, montimin dhe
mirëmbajtjen e pajisjeve elektromekanike, apo për krijimin e një biznesi privat në këtë
fushë”.Për të realizuar këtë, shkolla profesionale u krijon nxënësve:
- mundësi të përshtatshme për të nxënë, pavarësisht nga gjinia, raca, besimi dhe aftësitë;
- mundësi për të gjithë, për të zhvilluar kompetencat profesionale, të bazuara në njohuritë,
shprehitë, qëndrimet dhe vlerat, të mjaftueshme për të lehtësuar punësimin dhe
përparimin drejt arsimit e formimit profesional të mëtejshëm; - mbështetje për t’u njohur me rregullat e sigurimit teknik e të ruajtjes së mjedisit në
përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për t’i zbatuar ato me rreptësi; - mbështetje për t’u njohur me teknologjitë e proceset teknologjike bashkëkohore e të
perspektivës, që lidhen me kualifikimin profesional përkatës; - mbështetje për të zhvilluar ndjenjën e disiplinës, kuriozitetin intelektual dhe profesional,
aftësitë sipërmarrëse, si dhe vlerat morale; - mbështetje për t’u zhvilluar psikologjikisht dhe fizikisht, për të përballuar vështirësitë që
do të ndeshin gjatë veprimtarive të ardhshme profesionale; - mbështetje për të zhvilluar frymën e tolerancës dhe të mirëbesimit nëpërmjet përvojës së
punës.